Historia e Suedisë zë fill me ardhjen e parë të njerëzve në gadishullin Skandinav para më shumë se 14 000 vitesh. Ka mendime se edhe gjatë kohës së akullit në Suedi kishte pasë njerëz por kjo nuk është dëshmuar deri më tash. Popullzimi i territorit të Suedisë ka ndodhë së pari në afërsi të qytetit jugor Malmë në kohën e shkrirjes së akullit. Konsiderohet që periudha parahistorike e Suedisë mbaron me mbarimin e epokës së vikingve rreth vitit 1050 pas e.r.
Vendi ishte i përçarë në qendra të ndryshme por kryesisht dalloheshin pushtetet me ndikim më të madh në Svealand dhe Jëtaland.
Vënja e kufijve të parë me një vend tjetër (Danimarkën) ka ndodhur në vitet 1000.
Si shtet Suedia forcohet veçanërisht gjatë viteve 1 300.
Pas një lufte qytetare Gustaf Vasa fitoi kundër danezve më 1523 dhe mori pushtetin në Suedi. Ai zgjidhet mbret më 6 qershor të atij viti dhe kjo datë festohet si ditë kombëtare e Suedisë.
Gjatë viteve 1600 në saje të përvojave luftarake Suedia u shndërrua në fuqi evropiane. Por pas qindvjetshit pasues Suedisë i mungojnë shumë resurse për të mbajtur epitetin e një shteti të fuqishëm. Më 1809 Rusia ia merr afër gjysmën e territorit të një madhësie sa Finlanda e sotme.
Më 1814 Suedia sulmon Norvegjinë dhe detyron Danimarkën që Norvegjinë t´ia lë Suedisë duke marrë si kompenzim disa pjesë të Suedisë në Gjermani. Pas kësaj Suedia nuk ka qenë më si palë kryesore në nodnjë luftë.
Industrializimi gjatë viteve 1800 në Suedi erdhi më vonë se në Britaninë e Madhe. Ndërtimi hekurudhës nga viti 1860 shënon etapë të re zhvillimore për Suedinë. Ndërmarrjet në kuadrin e elektronikës dhe kimisë si L.M. Ericsson dhe Nitroglycerin AB morën rëndësi ndërkombëtare kah fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë.
Gjatë Luftës së Parë Botërore Suedia ishte neutrale. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore mendohej se vendet nordike do të qëndronin neutrale por kjo shpresë u thye për shkak të sulmit që i bëri Rusia Finlandës dhe sulmeve të Gjermanisë naziste kundër Danimarkës dhe Norvegjisë gjë që e detyruan Suedinë të aplikojë politikë pragmatike ndaj botës.
Politika suedeze e sigurisë është ndërtuar në baza të neutralitetit ndaj luftrave. Më vonë është vrejtur që neutraliteti formal nuk e ka penguar bashkëpunimin teknik me Nato-n. Kryeministri i Suedisë Olof Palme ka zhvilluar ndërkaq një politikë të jashtme ofensive duke kritikuar ndër të tjera Luftën në Vietnam dhe aparteidin në Afrikën e Jugut.
Rënja e murit të Berlinit më 1989, rënja e Bashkimit Sovjetik 1991 dhe fundi i luftës së ftohtë ndikuan që Suedia ti afrohet më shumë Evropës duke u integruar në UE pasi kishte qenë anëtare e EFTA-s që nga themelimi i saj më 1960. Suedia bëhet anëtare e UE me 1 janar 1995 pas mbajtjes së referendumit për këte. Por ende nuk është futur në Unioni Valutor Evropian dhe valutë monetare ka krunën suedeze.
Burime: Enciklopedia e Suedisë, Instituti i Suedisë dhe faqe zyrtare në internet.
Autor: Shuquri Sejdijaj
© 2023 Gjiganti