Qeveria e Kosovës

Pavarësia e Kosovës u shpall në bazë të planit gjithëpërfshirës të të dërguarit të OKB-së Martti Ahtisaari, i cili parasheh misionin mbikëqyrës ndërkombëtar dhe të drejta e përparësi të zgjeruara për pakicat kombëtare. Sipas Kushtetutës së Republikës, Kosova është shtet unitar me rregullin shtetëror të republikës parlamentare, por që në praktikë ka ngjyrime të një sistemi gjysmë-presidencial. Qeverisja bazohet në ndarjen e pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, funksionimin e organeve të pavarura vendore e ndërkombëtare, si dhe garantimin e të drejtave të veçanta komunitetit serb dhe kishës ortodokse serbe.

Pushteti ligjvënës i takon Kuvendit të Republikës, ndërsa pushteti ekzekutiv ushtrohet nga Presidenti dhe Qeveria e Republikës. Gjyqësori parashihet të funksionojë në mënyrë të pavarur, ndonëse kjo nuk ndodh në praktikë. Rishtazi, fondacioni amerikan Freedom House cilësoi Kosovën si vend "jo të lirë," duke vënë në pah veç korrupsionit edhe mungesën e një sistemi funksional të drejtësisë. Sistemi qeverisës po kalon nëpër fazën fillestare të implementimit të tij, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.

Zgjedhjet dhe organet politike

Zgjedhjet në Republikën e Kosovës zhvillohen çdo katër vjet. Çdo qytetar që ka mbushur 18 vjeç ka të drejtë të marrë pjesë si votues dhe kandidat në zgjedhje të përgjithshme për Kuvendin e Republikës, si dhe në zgjedhje komunale për kryetar komunash dhe këshilltarë komunalë. Organi ligjvënës, Kuvendi i Republikës, është i përbërë nga një dhomë me 120 anëtarë, prej të cilëve 100 zgjidhen çdo katër vjet drejtpërsëdrejti në një zonë zgjedhore mbarështetërore, ndërsa 20 janë të rezervuara për pakicat kombëtare (10 për serbët, 10 për joserbët) pa marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve.

Kreu i shtetit është Presidenti i Republikës, i cili përfaqëson unitetin kombëtar, drejtimin e politikës së jashtme dhe atë të kryekomandantit të Forcave të Sigurisë. Presidenti zgjidhet nga Kuvendi i Republikës me 2/3 e votave; vetëm shumica e votave është e nevojshme pas dy raundeve të dështuara. Nëse brenda tri tentimeve Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Presidentin e ri, shpallen zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. President i Republikës është Atifete Jahjaga, fillimisht e zgjedhur në këtë post me 7 prill 2011, pas dorëheqjes së ish-presidentit Fatmir Sejdiu dhe mandatit të shkurtër si president Begjet Pacollit. Pushteti ekzekutiv i Qeverisë përbëhet nga Kryeministri dhe Ministrat. Kryeministri ngarkohet me detyrën e formimit të Qeverisë nga Presidenti i Republikës dhe së bashku me Ministrat miratohet nga Kuvendi. Pas zgjedhjeve të parakoshme, me 22 shkurt 2011 rizgjidhet qeveria e re e Kosovës me kryeministër të rizgjedhur Hashim Thaqi dhe kabinetin qeveritar si:
Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme
Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve
Ramë Buja, ministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë
Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë
Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme
Sasha Rashiq, ministër i Kthimit dhe Komuniteteve
Dardan Gashi, ministër i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor
Memli Krasniqi, ministër për Kulturë, Rini dhe Sport
Fehmi Mujota, ministër për Infrastrukturë
Radojica Tomiq, ministre e Pushtetit Lokal
Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike
Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë
Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik
Bedri Hamza, ministër i Financave
Ferid Agani, ministër i Shëndetësisë
Agim Çeku, ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës
Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale
Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Sistemi i drejtësisë

Kushtetuta e Kosovës parasheh funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Supreme, gjykatave tjera, Prokurorëve të Shtetit, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial për mbarëvajtjen e një sistemi të paanshëm dhe apolitik të drejtësisë. Gjykata Supreme është autoriteti më i lartë gjyqësor në mbrojtje të ligjit dhe shqyrton ankesa ndaj vendimeve të gjykatave vartëse ose në raste të caktuara pranon raste që i referon drejtpërsëdrejti.

Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese, e përbërë nga 9 anëtarë, është mbrojtëse e Kushtetutës dhe interpretuesja përfundimtare e saj. Mund të vihet në punë nga institucionet e larta shtetërore në raste të caktuara me Kushtetutë. Individët kanë mundësi të kufizuara për t’iu referuar gjykatës. Gj. K. po ashtu mund të pranojë referime nga Kryetari i Kuvendit para kalimit të amendamenteve kushtetuese. Kryetar i Gj. K. është Prof. Dr. Enver Hasani.

Këshilli Gjyqësor, është organ mbikëqyrës që përcjell punën e gjyqësorit dhe sigurohet për pavarësinë dhe ndershmërinë e tij, si dhe asiston kreun e shtetit në përzgjedhjen e gjyqtarëve. Gjithashtu, funksionon edhe Këshilli Prokurorial me detyra të ngjashme kundrejt punës së prokurorëve. Sikurse për zgjedhjen e gjyqtarëve ashtu edhe të pjesëtarëve të këshillave, Kushtetuta sanksionon kuota etnike, ku së paku 15% e anëtarëve duhet t’iu përkasin komuniteteve joshumicë.

Subjektet politike dhe shoqëria civile

Kosova ka një numër të madh partish politike, pak prej të cilave janë të profilizuara dhe nuk ndjekin ndonjë ideologji të caktuar. Partië më të mëdha në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Vetëvendosja, Aleanca për ardhmerinë e Kosovës (AAK), dhe Aleanca Kosova e Re (AKR). LDK-ja ishte forca udhëheqëse e politikës kosovare, e orientuar kah pikëpamjet paqësore të kryetarit të saj, Presidentit Ibrahim Rugova. PDK, ndërkaq, doli nga krahu i luftës i UÇK-së, e udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi.

Prej grupeve më të mëdha opozitare dallohet partia Vetëvendosje, e drejtuar nga Albin Kurti, që mori hov me kërkesat e saj për sovranitet popullor. Më 10 shkurt 2007, policia rumune e UNMIK-ut vrau dy protestues të kësaj lëvizjeje, por asnjëherë nuk është vënë para drejtësisë, ndërsa udhëheqësi i saj dhe aktivistë të tjerë janë arrestuar në shumë raste. Vetëvendosja vazhdimisht ka kërkuar largimin e UNMIK-ut, ka kundërshtuar decentralizimin, Planin e Ahtisaarit, vendosjen e EULEX-it dhe së fundi është shprehur në favor të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Organizata të ndryshme joqeveritare kanë qenë aktive që prej pasluftës, ndonëse ndërtimi i shoqërisë së mirëfilltë civile është një ecuri në zhvillim e mbështetur nga fondacione të ndryshme ndërkombëtare me qëllim të forcimit të demokracisë në vend.

Marrëdhëniet e jashtme

Deri më tani Kosova është njohur si shtet nga 91 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara, prej të cilave 7 nga 8 pjesëtare së G8-shes. Shqipëria, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Turqia kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj të çështjes së Kosovës dhe vazhdojnë të ndihmojnë në lobim ndërkombëtar. Ndërkaq, Serbia pretendon sovranitet mbi truallin kosovar dhe kundërshton pavarësinë së bashku me Rusinë, Republikën Popullore të Kinës dhe vende të tjera, kryesisht autoritariane dhe me probleme të brendshme. Po ashtu, zhgënjyes mbetet fakti se vende kyçe të botës arabe dhe islame e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Shqetësuese mbeten edhe vështirësitë në udhëtim që i hasin qytetarët kosovarë. Shumë shtete nuk njohin pasaportat e Republikës së Kosovës, ndërsa sigurimi i vizave për në vende tjera është shumë i vështirë.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në bazë të kërkesës së Serbisë, e ka kaluar çështjen për rishikim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, vendimi i së cilës nuk është i detyrueshëm. Qeveria e Kosovës ka angazhuar ekipin e avokatëve mbrojtës në krye me ekspertin e të drejtës ndërkombëtare Sir Michael Wood. Më 17 korrik 2009, Kosova dorëzoi para gjykatës të dytën deklaratë mbrojtëse me shkrim.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara, me 22 korrik 2010 publikoi opinionin këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Gjatë fjalës së tij Kryetari i Gjykatës Hiasashi Ovada tha se shpallja e pavarsisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Me 10 vota pro dhe 4 kundër gjykata është e mendimit se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Sipas gjykatës nga të gjitha të dhënat pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur as rezolutën 1244, si dhe kornizën kushtetuese të UNMIK.

Republika e Kosovës ka hapur 20 misione diplomatike në kryeqytetet e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e saj, por së shpejti pritet të operacionalizohen edhe disa tjera. Njëherësh, në Prishtinë funksionojnë mbi 33 misione diplomatike, ambasada dhe zyra ndërlidhëse të shteteve sovrane dhe organizatave ndërkombëtare. Ministria e Punëve të Jashtme, e themeluar pas pavarësisë nën kryesimin e Enver Hoxhaj, është ngarkuar me detyrën e sigurimit të njohjeve të shtetit kosovar. Deri më tani, është arritur anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa mundësia e anëtarësimit në OKB nuk pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt. Po ashtu, qeveria ka shpallur synimin për integrim në Bashkimin Evropian dhe aleancën veriatlantike, NATO.

Disa të dhëna kohë pas kohe mund të ndryshojn përshkak të ndryshimeve politike, megjithëse ne jemi në rrjedha dhe po mundohemi që këto ndryshime ti rifreskojm edhe në materialet tona.

Sponsor