Popullsia e Kosovës

Regjistrimi i fundit i plotë i popullsisë është bërë në vitit 1981, kur Kosova kishte 1.584.000 banorë. Vlerësime të vitit 2011 numrin e popullsisë e vendosin në 1.733.872, ndërsa në burime tjera hasen edhe shifra prej 2.200.000 ndersa burime të inteligjencës amerikanë paraqesin vetëm 1.804.838, sipas vlerësimit më të fundit të korrikut 2009.

Mërgimet e kosovarëve gjatë kësaj periudhe, si dhe të rënët gjatë luftës, kanë penguar rritjen e pritshme të popullsisë, me gjithë shtimin natyror prej 12,7 për 1.000 banorë.

Popullsia e Kosovës përbëhet kryesisht nga komuniteti etnik shqiptar, që sipas vlerësimeve të Entit Statistikor shqiptarët përbëjnë 88% të popullsisë. Serbët janë komuniteti i dytë përkah madhësia me 5,3%, të përcjellë nga turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptasit dhe goranët. Në Kosovë jeton edhe një numër kroatësh dhe çerkezësh, ndërsa pjesëtarë që zyrtarisht i përkasin komunitetit serb kanë kërkuar nga qeveria të njihen si komunitet malazias në vete. Ndërkohë, romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit, që shpesh futen në një tog të njohur si RAE ose tradicionalisht si jevgj, vetidentifikohen si etni të pavarura në baza të dallimeve historike ose kulturore. Niveli i integrimit të pakicave joserbe në shoqërinë kosovare është në përgjithësi i kënaqshëm. Ndërkohë, përkundër përpjekjeve të qeverisë dhe shoqërisë civile kosovare, integrimi i komunitetit serb po ecën ngadalë për shkak të pengesave të grupeve ekstremiste të sponsorizuara nga qeveria e Serbisë dhe qarqe ultranacionaliste serbe.

Veç shtimit të lartë natyror të sipërcekur, Kosova gëzon një popullatë shumë të re. Mosha mesatare është 25,9 vjeç, 70% e popullsisë janë nën 30 vjeç, ndërsa 33% i përkasin moshave 0-14 vjeçare dhe vetëm 6% janë mbi 65 vjeç. Jetëgjatësia mesatare është 69 vjet; femrat jetojnë afro 71 vjet, meshkujt 67vjet. Lindshmëria është 16,3 në 1000 banorë ndërsa vdekshmëria 3,6. Në vazhdim shikoni listën e komunave (shiko seksionin Komunat e Kosovës).

Sponsor