Kultura Kosovare

Kultura kosovare ngërthen në vete kulturën e kombit shqiptar, si trashëguese të kulturës vendase ilire, të ndikuar më vonë kryesisht nga kultura romake dhe osmane e më pak nga ajo sllave. Përcaktimi kulturor kosovar është perëndimor, mirëpo ruan në vete elemente konservatore evropiane dhe disa veti të kulturës lindore, të përfituara nga shekujt e sundimit osman. Ndikimi i thellë vërehet sidomos nga e drejta dokesore e shqiptarëve, e përkufizuar nga katër parime, nderin vetjak, barazinë e vetëve, lirinë e veprimit në kuadër të ligjit, si dhe besën.

Letërsia dhe artet

Letërsia në Kosovë nis me librin kishtar Meshari, të parin libër të botuar në gjuhën shqipe nga Gjon Buzuku i shkruar në vitin 1555, me prejardhje nga krahina e Hasit. Andre Bogdani botoi gramatikën e parë të gjuhës shqipe, mirëpo kjo vepër humbi gjatë luftimeve kundër osmanëve dhe për të mësohet vetëm nga shkrimet e nipit Pjetër Bogdani, autor i Çetës së Profetëve, kryevepër e letërsisë së vjetër shqiptare.

Zhvillmi i letërsisë në Kosovë nuk arriti nivel të duhur deri pas luftës së dytë botërore, kur themelimi i shtëpisë botuese Rilindja hapi rrugët për botimin e një morie veprash letrare. Esad Mekuli konsiderohet si nismëtari i letërsisë moderne në Kosovë. Në prozë u dalluan Anton Pashku, Anton Çetta, Nazmi Rrahmani, Zejnullah Rrahmani, Rexhep Qosja, Sinan Hasani etj. Prej poetëve më të përmendur janë Ali Podrimja, Azem Shkreli, Sabri Hamiti, Jeton Kelmendi, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj etj. Autorët bashkëkohorë kosovarë kryesisht trajtojnë tema të lëvizjes kombëtare, transformimit shoqëror, mërgimit, si dhe luftës e pavarësisë.

Feja

Popullsia kosovare i përket kryesisht fesë islame, ndërsa pjesa tjetër Kishës Katolike Romake dhe Kishës Ortodokse Serbe. Myslimanët përfshijnë shumicën e shqiptarëve, turqit, boshnjakët dhe goranët.

Krishterimi është religjioni më i vjetër në Kosovë, që u përhap qysh gjatë misioneve të Shën Palit në provincat ilire të Perandorisë Romake. Perandori bizantin, Konstandini i Madh, i lindur në provincën e Dardanisë, e bëri fe zyrtare të perandorisë. Niketë Dardani shkroi njërin prej himneve të para kishtare, "Te Deum." Më 1054, Kosova u ndodh në juridiksionin e Kishës Ortodokse të Lindjes, mirëpo prijësit politikë të kohës parapëlqyen lidhje me papatit dhe perëndimin. Lekë Dukagjini, i lindur në Lipjan, i dha Kishës Katolike vend qendror në kodin e tij të drejtësisë, ndërsa klerikët Gjon Buzuku dhe Pjetër Bogdani botuan në shqip vepra të të rëndësisë fetare dhe gjuhësore.

Me përfshirjen e Kosovën nën Perandorinë Osmane, u përhap edhe feja islame, së pari përmes edukimit të të rinjve kosovarë në shkollat perandorake dhe përpjekje proselituese të misionarëve osmane, e pastaj edhe për shkak të tatimit të rëndë në baza fetare (taksës së xhizjes). Islami u pranua nga shqiptarët dhe një pjesë e sllavëve. Shqiptarët, edhe pse të ndarë në myslimanë dhe të krishterë, vazhduan të identifikoheshin si një komb. Kurse për sllavët ndarja fetare solli edhe ndarje etnike.

Boshnjakët më parë njiheshin si myslimanë dhe gjithmonë theksonin dallimin etnik nga serbët. Megjithatë, islami që praktikohet sot në Kosovë është kryesisht tolerant dhe përkrah zhvillimin kulturor të kosovarëve si popullatë me kulturë evropiane. Shumica e myslimanëve në Kosovë janë synitë, por ka edhe ndjekës të urdhrit shiit.

Gjuhët

Gjuhë parësore e folur në Kosovë është dialekti gegë verilindor i gjuhës shqipe, i folur si gjuhë amtare nga shqiptarët e ashkalinjtë dhe si gjuhë e dytë nga shumica e kombësive tjera, me përjashtim të serbëve që kanë njohuri më të vogël. Shqipja standarde është gjuhë zyrtare në nivel të njëjtë me gjuhën serbe, të folur nga komuniteti serb dhe të njohur mirë nga brezat më të vjetër të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera. Gjuhët boshnjake, turke dhe rome gëzojnë përdorim zyrtar në nivel komunal; përveç komunitetit turk, gjuha turke flitet si gjuhë e parë dhe si gjuhë e dytë nga një numër shqiptarësh. Në Rahovec, flitet nga komuniteti shqiptar një dialekt lindor i gjuhëve sllave të jugut, i quajtur rahovecianshe ose sllavishtja e Rahovecit, ndërsa nga komuniteti goran flitet një dialekt i maqedonishtes. Komunitetet kanë të drejtën dhe mundësinë e shkollimit në gjuhën e tyre amtare.

Anglishtja, ndërkaq, ka zëvendësuar serbishten si gjuhë e komunikimin ndëretnik në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Ndonëse nuk është e sanksionuar me Kushtetutë, anglishtja përdoret zyrtarisht nga institucionet qeverisëse, sidomos në nxjerrjen e ligjeve dhe dokumenteve qeveritare. Njëherësh, anglishtja është gjuha e huaj më e njohur nga kosovarët, e përcjellë nga gjermanishtja dhe frëngjishtja.

Sponsor