Gjeografia e Kosovës

Kosova gjindet në mes të Europës Jug-Lindore. Kosova, shtrihet mes paraleles 42° e 44° të hemisferës veriore të Tokës dhe mes meridianit 20° e 22°.

Duke zënë pozitë qendrore në Gadishullin Ballkanik, paraqet nyje të rëndësishme të lidhjes midis, Evropës së Mesme dhe asaj Jugore, Detit Adriatik dhe Detit të Zi. Sipërfaqja e Kosovës është 10 908 km2 dhe është e populluar me mbi 2 milionë banorë.

Boshtin kryesor të lidhjes së viseve veriore dhe jugore të Ballkanit e bëjnë luginat e lumenjve: Ibër, Sitnicë dhe Lepenc. Ky bosht ndan disa lugina të tërthorta: në afërsi të Mitrovicës përgjatë lumit Iber kalon magjistralja e Adriatikut e cila e lidhë bregdetin e Malit të Zi , në afërsi të qytetit të Besianës (Podujevës). Rruga e Llapit dhe Toplicës e lidhë me qytetin e Nishit dhe me brendësin e Gadishullit Ballkanik, në afërsi të Prishtinës, ndodhet lugina e Drenicës e cila e lidhë Drinin e Bardhë me rrugën më të shkurtër për bregdetin Shqiptar.

Në qytetin e Ferizajt ndahet rruga e Moravës së Binçes e cila kyçet në arterien kryesore lumore të Moravës dhe Vardarit.

Klima

Klima dhe temperaturat në Kosovë janë të ndryshueshme gjatë katër stinëve të vitit. Dimri është me borë dhe me temperatura të ulëta, p.sh. në Prishtinë temperatura mesatare është -2°C. Pranvera dhe vjeshta janë të freskëta dhe me reshje, kurse vera është e nxehtë dhe e thatë - me temperatura mesatare +22°C. Temperaturat e larta në Kosovë gjatë vitit janë mes 25°C dhe +38°C.

Flora dhe Fauna

Ndryshimet klimatike, pedologjike dhe hidrografike, kanë ndikuar në llojllojshmërinë e botës bimore dhe shtazore. Në zonën kalimtare prej fushës në viset bregore haset bashkësia e akaçjeve (bagremit), pastaj manit të bardhë , manit të zi, lisit të zi, rrapit, plepit kanadez, robimës japoneze, dafinës, frashrit amerikan etj. Në viset bregore më e përhapur është bashkësia e ahut.

Në brezin e drunjëve gjetherënës (900-1500m) fillojnë së pari bashkësitë e përziera me gjethembajtës, e pastaj fillon brezi i drunjëve gjethembajtës: dëllënja (bredhi i kuq), bredhi (çami), boriga (pisha e zezë), pisha e bardhë. Bashkësia e gështenjës si treguese e ndikimit të klimës mesdhetare vazhdon rrëzave të Bjeshkëve të Nemuna deri te Strellci i Epërm dhe deri në Pejë ( në Zatra). Në lartësi rreth 1500m fillon brezi i kullosave malore të cilat ngriten deri në lartësinë 2200m. Në brezin e kullosave haset boronica, bimë e cila jep fruta shumë të shëndetshme.

Zona kodrinore-malore është më e pasura me faunë. Në zonën fushore e kodrinore ku shtrihen pyjet (si Lipovica, Kleçka etj.) jeton kaprolli, derri i egër, dreri dhe lepuri. Prej shpezëve në zonën fushore-kodrinore hasen korbi i murrmë , laraska, shtura, harabeli fushor, qukapiku, pëllumbi, turtulli, thëllëza e fushës, shkurtëza, fazani etj. Në zonën malore, ku shtrihen edhe pyjet jeton ariu i murrmë, luqerbulli, dhia e egër, derri i egër, ujku, sqarthi i artë, sqarthi i bardhë, dhelpra, kaprolli, pulegra e madhe dhe e vogël, pula e pyjeve, thëllëza , ketri etj. Ariu më tepër haset në zonën malore të Alpeve Shqiptare, në Sharr, Moknë etj.

Për gjueti turistike janë të përshtatshëm pylli i Lipovicës (Blinajës) dhe Kleçkës, jo larg Lipjanit. Sa i përket faunës ujore mund te gjuhen: trofta e përrojeve, dispari, ngjala, mustaku, krapi, bërcaku, skobusi, siluri, gjuhza, skrofana, cironka etj.

Sponsor