Ekonomia e Kosovës

Angazhimi i qeverisë

Qeveria kosovare ka bërë përpjekje për ndërtimin e një ekonomie të tregut, mirëpo me gjithë përparimet e shënuara në vitet e fundit, Kosova mbetet ndër vendet më të varfra të Evropës. Prodhimi vendor bruto (PVB) i Kosovës numëron vetëm 5 miliard dollarë amerikanë (me barazim të fuqisë blerëse), ndërsa me 2.300$ PVB për krye, Kosova renditet e fundit në Evropë. Papunësia, që sipas vlerësime zyrtare ka kapluar 40% të fuqisë punëtore, është brenga kryesore për Republikën e Kosovës.

Megjithëse Kosova shërbeu si burim i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Jugosllavisë, pushtimi serb gjatë viteve nëntëdhjetë, lufta, si dhe qeverisja e ligsht e UNMIK-ut e sollën ekonominë kosovare në gjendje kolapsi. Të hyrat financiare për rindërtimin e vendit pas përfundimit të luftës sollën rritje ekonomike në tri vjetët e para, kurse më 2003-04 pati rënie për shkak të pamjaftueshmërisë së burimeve të brendshme dhe zvogëlimit të ndihmave ndërkombëtare. Inflacioni është i ulët, ndërsa tepricat buxhetore të herëpashershme janë kritikuar si mungesë e përpjekjeve të qeverisë për ta nxjerrë vendin nga skamja. Sidoqoftë, më 2007 pati deficit buxhetor; u shpenzuan 1.22 miliard dollarë amerikanë, ndërsa pati 1.19 miliard të hyra. Industria e nxjerrjes dhe përpunimit të xeheve është pothuajse jashtë funksionit.

Për t’i hapur rrugë zhvillimit ekonomik, janë privatizuar sipas numrit gjysma dhe sipas vleftës 90% e ndërmarrjeve shtetërore. Për dallim nga vendet e zhvilluara, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara, Kosova ka shënuar rritje ekonomike gjatë viteve të fundit, mirëpo jo në shkallë të dëshirueshme për ta lehtësuar gjendjen e rëndë të popullsisë. Me gjithë shënimet që tregojnë dyfishim të investimeve nga ulja e taksave të korporatave për 50% më 2008 dhe disa lehtsime tjera që janë bërë kohet e fundit, recedimi ekonomik ka penguar ndryshimet pozitive të pritshme. Edhe sot, ndihma financiare dhe teknike e bashkësisë ndërkombëtare, kryesisht Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, përbëjnë shtyllë mbajtëse të ekonomisë së Kosovës. Njëherësh, 15-20% e PVB-së grumbullohet nga remitancat e mërgimtarëve shqiptarë, të ndodhur kryesisht në Zvicër dhe Gjermani.

Të ardhurat dhe zhvillimi njerëzor

Papunësia e lartë në Kosovë ka bërë që PVB të përqendrohet në sektorin e shërbimeve (60%), ndërsa pjesa tjetër është në mënyrë të barabartë e ndarë mes bujqësisë dhe industrisë. Për dallim nga shtetet e zhvilluara, ku sektori i shërbimeve ngërthen përqindje të lartë të të punësuarve në korporata të mëdha financiare, të teknologjisë informative dhe shëndetësore, shërbimet në Kosovë përfshijnë kryesisht veprimtare të vogla private, të përqendruara në tregti me pakicë dhe ndërtimtari. Vetëm 0,25% e të punësuarve në vitin 2006 punonin për sipërmarrje të mesme dhe të mëdha me më shumë se 49 punëtorë. Në vitin 2007, 74.366 persona kanë qenë të punësuar në sektorin buxhetor.

Shkalla e lartë e papunësisë sillet rreth 40%, ndërsa pati arritur kulmin prej 50% më 2006. Në vitin 2007, numri i personave që kanë kërkuar punë ka qenë 334.595 persona, shumica të moshës 25 deri në 39. Vetëm 1.5% e tyre janë me universitet apo shkollë të lartë të kryer. Të punësuarit, ndërkaq, vuajnë nga pagat e ulëta që mesatarisht sillen rreth 200 eurove në sektorin publik dhe 220 eurove në atë privat. Në këto kushte vazhdon të lulëzojë ekonomia e zezë, duke pamundësuar mbledhjen e statistikave precize. Sondazhe të reja tregojnë se janë shënuar humbje të vendeve të punës për shkak të krizës dhe popullata ndjehet tejet e shqetësuar.

Shkalla e varfërisë mbetet e rëndë, 42 % jetojnë në varfëri, ndërsa 15 % në varfëri të skajshme dhe nevoja për programe të mirëqenies sociale sfidon qeverinë, e cila më 2006 ndau asistencë për 40.569 familje me gjithsej 174.131 anëtarë. 127.356 pensionistë filluan të përfitojnë nga pensione mujore në fundvitin 2006; në janar 2008 pensionet u rritën nga 40 euro në 75 për muaj, ndonëse fondet e pensioneve u vodhën nga Serbia gjatë luftës dhe së fundi u tkurrën në skema të dështuara të kursimit. Në vitin 2007, Kosova ka filluar edhe me pensionet e posaçme për invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve, fillimisht me 7.500 përfitues, numër ky që u rrit bashkë me sasinë e pensionit.

Në Prishtinë ndodhet shtëpi e pleqve, ku më 2006 ishin të vendosur 106 individë (81 shqiptarë, 11 serb dhe 14 të tjerë). 136 vetë të tjerë (57 serb, 55 shqiptar dhe 24 të tjerë) ishin të vendosur në Institucionin e Shtimes për personat me kërkesa të veçanta. Vetëm gjatë vitit 2006, shteti mori nën kujdes 66 fëmijë të braktisur (39 vajza, 27 djem). Këto statistika flasin për kohën ndërmjet viteve 2006-2009 por në krahasim me nagjarjet aktuale thuhet se ndryshimet janë të vogla prandaj do mundohemi ti sjellim edhe disa statistika më të reja.

Bujqësia

Bujqësia nuk i plotëson nevojat e popullsisë, mirëpo ka shënuar së fundmi përparime të dukshme në sajë të ndihmës nga jashtë. Sipas vlerësimeve të vitit 2007, bujqësia kontribuon 7% të PVB. Prodhimet kryesore bujqësore janë misri, gruri dhe elbi, patatet, mollat, kumbullat dhe duhani. Njëherësh, shitja me shumicë e drurit ka ngjallur shqetësime rreth zhveshjes së pyjeve. Mbajtja e kafshëve për qumësht dhe mish, gjithashtu e shpezëve dhe bletëve, përbën rrafshin e blegtorisë.

Hapësira e mbjellë me drithëra është ngushtuar në krahasim me vitet ’80. Gruri, drithi kryesor, mbillet në 70.000 hektarë tokë dhe ka mesatare të rendimentit prej 3.26 ton/ha. Përkundër rritjes në bujqësi, Kosova mbetet shumë prapa vendeve evropiane dhe vazhdon të jetë importues madhor i prodhimeve ushqimore.

Energjia

Përkundër hapësirës së vogël territoriale, Kosova është e pasur me burime energjetike. Janë vlerësuar 10-12 miliard tonë qymyr linjit të shtrirë përgjatë dy rrafsheve të vendit. Me 1.800-2.000 kalori, qymyri kosovar është i përshtatshëm për prodhim të rrymës elektrike, gazra për plehra artificiale, si dhe për nxemje qendrore. Prej viteve 60-ta, qymyri nxirret në afërsi të Obiliçit në sasi që së fundmi sillet rreth 6 milion tonë në vit.

Sidoqoftë, dy termocentralet e ngritura për prodhim të rrymës elektrike përballen prej më se një dekade me mungesë kapacitetesh, telashe të teknologjisë së vjetruar, riparime gjysmake dhe keqmenagjim, duke mos arritur të përmbushin kërkesën për furnizim me rrymë. Më 2006 u prodhuan vetëm 832 milion kWh rrymë, ndërsa u konsumuan 4,281 miliard kWh, pesëfish më shumë. Që prej vitit 1999, reduktimet në furnizim kanë qenë të zakonshme. Fushata 24:0 për të promovuar kursimin e rrymës dhe larjen e borxheve të konsumatorëve përmes pagesave me këste nuk kanë shënuar sukses të theksuar. Ministria e Energjisë dhe Minierave është angazhuar për ndërtimin e një termocentrali të ri me koncesion.

Integrimet ekonomike dhe tregtia me jashtë

Që prej vitit 2002, Euro zëvendësoi markën gjermane si valuta zyrtare e Kosovës, ndonëse nuk ekziston ndonjë marrëveshje zyrtare për përdorimin e kësaj valute me institucionet evropiane. Dinari serb përdoret ilegalisht nëpër enklava serbe. Megjithëse përdorimi i euros është parë si mundësi për kontrollimin e inflacionit, Kosova qe vendi më i shtrenjtë në rajon në vitin 2008.

Më 29 qershor 2009, Republika e Kosovës u pranua zyrtarisht anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Më 2007, Kosova nënshkroi marrëveshjen e tregtisë së lirë, CEFTA, me vendet e rajonit. Megjithatë, mungesa e prodhimeve kosovare dhe pengesa nga Serbia kanë bërë që CEFTA të mos tregohet përparësi e madhe për Kosovën. Në partneritet tregtar me BE-në dhe vendet e rajonit, Kosova përballet me mungesë bilanci tregtar. Eksporti më 2007 arriti në 527 milion dollarë, ndërsa importi kalonte 2,6 miliard.

Kosova eksporton kryesisht prodhime xeherore dhe metale të përpunuara, mbeturina metalesh, lëkurë, makineri dhe pajisje transporti në vendet e BE-së, Serbi, Shqipëri, Maqedoni, Zvicër etj. Kurse importon ushqim, dru, karburante, kemikale, makineri dhe pajisje elektrike, kryesisht prej BE-së, Maqedonisë dhe Serbisë.

Sponsor