Finlanda është një vend i kontrasteve interesante, të tilla si katër stinët e vitit, dielli në mesnatë dhe errësira e dimrit, vendet urbane dhe rurale etj. Gjatë fluturimit, përshtypjet e para që ju mund të keni është se ka shumë pyje me liqene të shumta dhe qytete të vogla në mes.
Kjo është një lloj surprize kur arrini në Helsinki për të parë se aeroporti është aq modern dhe efikas me shërbimet ndër më të mirat në botë. Vizita juaj e parë do ju mbetet një kujtim i paharruar por kjo nuk do jetë i vetëm pasi çdo sezon sjell edhe vetit e veta unike. Katër herë në vit, natyra ndryshon uniformen e saj plotësisht , ngjyrën, dritën, temperaturën, tingujt etj. Çdo gjë ndryshon në një mënyrë të tillë që shumë rrallë ndodh në vendet tjera.
Finlanda si një vend i vogël për nga numri i popullsisë nuk mund të krahasohet me vizitat siç i kanë disa vende të mëdha evropiane si Franca, Spanja apo Gjermania, mirëpo megjithatë turizmi viteve të fundit ka tërhequr më shumë vizitorë nga vende të ndryshme të botës dhe sidomos këtë vit shumë agjenci të njohura kanë listuar Finlandën si një nga destinacionet më të preferuara gjatë vitit 2017. Një ndër arsyet e këtij parashikimi qëndron tek festimi i 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë prandaj edhe institucionet finlandeze kanë përgatitur programe të shumta gjatë tërë vitit. Këto programe mund ti shikoni nga portali www.suomifinland100.fi
Rreth statistikave të turizmit në Finlandë do përmendim vetëm disa gjëra shkurtimisht pasi qëllimi ynë është që tek ju të sjellim gjërat më interesante që ofron ky vend. Duke u bazuar nga statistikat zyrtare të akomodimit gjatë vitit 2016, turistët në Finlandë kanë kaluar gjithsej 17.5 milion net. Nga ky numër, 12.7 milion kanë qenë vendas ndërsa nga vendet tjera më së shumti kanë ardhur nga Rusia, Suedia, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Kina, Japonia, SHBA etj.
Atraksionet që sjell Finlanda për turistët janë të shumta dhe unike në krahasim me shumë vende tjera prandaj për ti përmbledhur të gjitha do nevojitet një udhërrëfyes i veçantë ndërsa ne do të mundohemi të sjellim tek ju disa nga gjërat më të veçanta që e dallojnë nga të vendet tjera.
Finlanda ka një nga rrjetet më të rregulluara ajrore dhe më të lira në Evropë, me aeroporte në të gjithë vendin, duke përfshirë edhe veriun e largët. Stabilizimi i tregut dhe rrjeti i mirë ajror bën që edhe konkurrenca në çmimin e biletave të ndryshoj duke filluar nga ato më të lirat e deri tek klasat më të larta. Kompania më e madhe ajrore që operon nga Finlanda në të gjitha destinacionet e botës është Finnair www.finnair.com ndërsa si kompani tjera të mëdha janë edhe Lufthansa, SAS, Turkish Airlines, Norwegian etj. Për fluturime të brendshme janë disa lloje të biletave të lira ku shumica e fluturimeve operohet nga Finnair.
Aeroporti më i madh që ka edhe lidhjet ndërkombëtare është Helsinki - Vantaa Airport i cili menaxhohet nga Finavia www.finavia.fi. Shërbimet në këtë aeroport janë ndër më kualitative në botë ku shpesh renditet në listën e 10 më të mirëve. Transporti nga aeroporti deri në qendër të Helsinkut ka një distancë prej 20 km dhe zakonisht bëhet me tren i lëshuar në qarkullim nga viti 2015 por gjithashtu mbetën edhe opsionet taksi apo me autobus.
Informacionet rreth orarit të transportit publik në zonën metropolitane të Helsinkut duke përfshirë trenat, autobusët, metro dhe tramvaj mund ti gjeni nga www.hsl.fi ndërsa udhëtimet e largëta me tren përmes ndërmarrjes publike VR www.vr.fi si dhe udhëtime e largëta me autobus përmes ndërmarrjeve private www.matkahuolto.fi apo disa tjera si www.onnibus.com
Një ndër shërbimet e transportit të lirë dhe shumë interesant për finlandezët por edhe për emigrantët të cilët vendosën të jetojnë në Finlandë është edhe sistemi i anijeve private të cilat lidhin linjat detare ndërmjet Finlandës, Suedisë, Estonisë Gjermanisë dhe Polonisë. Më të njohurat janë sistemi i linjave ditore Helsinki - Stockholm, Helsinki - Tallinn dhe gjithashtu edhe nga qyteti Turku. Linjat nga Helsinki për Tallinn janë disa herë në ditë dhe ofrohen nga ndërmarrje të ndryshme. Ndër kompanitë më të mëdha që ofrojnë këto linja janë: Vikin Line www.vikinline.fi Tallink Silja Line www.tallinksilja.com Eckerö Line www.eckeroline.fi Finnlines www.finnlines.com
Sauna finlandeze është një pjesë e rëndësishme e kulturës finlandeze që ka një traditë të gjatë. Me një numër të madh mbi 2 milion sauna në mbarë vendin, e bën një mesatare që çdo familje të këto një të tillë. Për finlandezët, sauna është një vend për tu çlodhur me miqtë dhe familjen si dhe një vend për relaksim fizik dhe mendor. Zakonisht shumica e shtëpive për banim dhe atyre verore kanë së paku një saunë por edhe ndërtesat publike kanë opsione me sauna të përbashkëta apo secili apartament ka sauna në veti. Sauna kanë edhe shumica e vendeve publike si p.sh. ndërmarrjet e mëdha, fabrikat, qendrat sportive, pishinat, hotelet dhe disa institucione tjera.
Babadimri është një figurë legjendare e kulturës së krishterë perëndimore që është thënë për të sjellë dhurata gjatë festës së krishtlindjeve nëpër shtëpitë e fëmijëve që kanë qenë të mirë apo të sjellshëm. Edhe pse kjo festë i takon fesë së krishterë, gjatë festave të fundvitit edhe në shumë vende me besime tjera dhe në këtë rast tek shqiptarët, Babadimri bëhet si një simbol për ti argëtuar fëmijët.
Babadimrit ka versione të ndryshme rreth prejardhjes dhe lokacionit se ku jeton por në kohën moderne thuhet se Babadimri jeton në Lapland në vendin e quajtur Korvatunturi që është pjesë e Finlandës ndërsa zyrtarisht fshati i Babadimrit (Santa Claus Village) gjendet në rrethin arktik në qytetin e Rovaniemit. Çdo vit fëmijët nga e mbarë bota, rreth 190 vende të ndryshme i dërgojnë Babadimrit letra me dëshirat e tyre dhe secila letër kthehet tek fëmijët me një vulë postare të veçantë. Fshati i Babadimrit është i hapur çdo ditë dhe aty mund ti gjeni gjithçka rreth legjendës së Babadimrit. Më shumë informacione, vizitoni faqen zyrtare: www.santaclausvillage.info
Për shkak dimrit të gjatë dhe të ftohtë, finlandezët e festojnë verën me shumë pasion. Disa shkojnë në festivale të muzikës me zhanre të ndryshme, disa marrim rrugëtime të gjata nëpër plazhe të vendeve të nxehta por ka edhe shumë prej tyre që kalojnë kohën nëpër shtëpitë verore duke lundruar, bërë peshkim, gatim në skarë dhe shiju ditët e gjata, të qeta dhe relaksuese.
© VisitFinland
Kur themi ditët e gjata, kjo tregon dhe faktin për të cilin shumë kanë dëgjuar fenomenet e motit ku Finlandën e mendojnë si një vend të ftoftë, me dimër në errësirë dhe verë në dritë. Në fakt, po të marrim pjesët më veriore të Finlandës, gjatës kohës së verës, rreth 2 muaj dielli pothuajse nuk perëndon dhe tanë kohen e shijon ditën me dritë dhe kjo ndodhë në anon e kundërt gjatë dimrit ku më pak se 2 muaj është pothuajse errësirë e plotë. Pjesa jugore, zona metoropolitane e Helsinkut dallon por megjithatë edhe këtu gjatë verës ditët janë shumë të gjata dhe netët të shkurta.
© Juui Hellsten
Një nga atraksionet e Helsinkut është edhe ishulli Suomennlina apo ndryshe quhet edhe si kështjella e Finlandës. Gjatë verës shumë vendas dhe turistë kalojnë ditët më të mira të verës nëpër parqet që ofron kjo kështjellë, muzetë, restorantet dhe aktivitete tjera të organizuara në grupe të ndryshme. Udhëtimi për te ishulli Suomenlinna bëhet çdo ditë, nga disa herë në orë, me anije e cila është pjesë e transportit publik të Helsinkut. E gjithë hapësira e përbërë nga 8 ishuj ka rreth 80 hektarë dhe në të jetojnë rreth 800 banorë të përhershëm ku shumica e ndërtesave janë pronë e shtetit të lëshuar me qira. Më shumë informacione mund të gjeni tek faqja zyrtare www.suomenlinna.fi
Bregdeti i Finlandës krenohet me arkipelagun më të madh në botë i formuar nga koha e akullnajave. Arkipelagu ka një shtrirje që përfshinë pjesën jug-perëndimore si dhe ishujt Åland. Është e vështirë për të marrë një numër të saktë, por ka të paktën 70.000 ishuj dhe ujdhesa, ku më shumë se 20.000 prej tyre kanë madhësi të mjaftueshme për të ndërtuar një kasolle apo shtëpi të vogël verore.
Çiklizmi në shtegun e arkipelagut në bregun perëndimor qëndron një nga destinacionet më të frekuentuara dhe më unike të vendit për turistët. Në sezonin e verës, nga muaji maj deri në shtator, ky shteg tërheq rreth 20,000 vizitorë, me makinë, motoçikletë dhe me biçikletë. Në vend se ta quajmë një rrugë, ajo është ndoshta më së miri si një rrjet, i përbërë nga shumë pjesë të rrugëve të lidhura nga kalimet me traget. Përveç 160-190 km pjesës rrugore, kalimet nga një ishull në tjetrin me traget përfshinë një shtesë prej 30 - 50 km në varësi të rrugës tuaj të zgjedhur.
Rruga rrethore mund të jetë bërë për çiklistët si rrugë dredha-dredha për nder të arkipelagut që ti inkurajoj shoferët për të vozitur më ngadalë se sa ata mund të vozisin në rrugët kryesore të vendit. Një pjesë e madhe e tyre janë turistë të cilët bëjnë lëvizje të ngadalshme për të shijuar pamjet e bukura.
Gjatë kalimit në këmbë nëpër ishujt, pamjet në brendësi të arkipelagut ndryshojnë shpesh dhe shpejt nga ujdhesat e zhveshura shkëmbore në fshat të gjelbër me shtëpitë e tyre prej druri dhe varka që shumica janë të lyera me ngjyrë të kuqe. Ka ura të panumërta të vogla dhe kalimet me traget ofrojnë mundësi të shkëlqyera për të pushuar dhe vazhduar udhëtimin tuaj të çlodhur.
Edhe pse gjatësia e shtegut të arkipelagut mund të mos tingëllojë shumë për një çiklist me përvojë, ja vlen që të merrni më shumë kohë pasi atje ka shumë gjëra për ti pare gjatë kohës së verës. Ka shumë muze, ndërtesa historike, fortesa dhe rrënoja në arkipelag, si dhe parku kombëtar Saaristomeri, një nga dy parqeve kombëtare të Finlandës si zonë e mbrojtur e kafshëve të egra. Kjo e bën atë një vend ideal për të eksploruar peizazhet e ndryshme natyrore, florës dhe faunës. Në arkipelag ka edhe disa ndërmarrje private që ofrojnë shërbime turizmi ku vlen të theksohet një udhëtim me varkë të shoqëruar me një udhëzues turistik.
Në verë vizitorët mund të ndalen për të parë ekspozita të kulturës detare, për të blerë diçka dhe në mbrëmje mund të vendosen në një nga shumë portet të përgatitura për mysafirët ku nuk mungon edhe zhurma me jetën e natës gjatë muajve qershor dhe korrik. Portet ofrojnë strehim gjatë natës dhe gjithashtu në afërsi ka kampingje për të vendosur tenda, mund të merreni me qira shtëpi verore, hotele familjare etj.
Shtegu i arkipelagut mund të hulumtohet në mënyra të ndryshme. Nëse ju jeni duke filluar nga Turku dhe e gjithë rruga kryesore 190 km mund të ju mundoj pak, ka seksione të shkurtra, të cilat mund ti gjeni nëpër udhëzues të shtegut të arkipelagut. Të gjitha rrugët janë gjithashtu të përsosura për çiklistët fillestar, sepse ka shumë vende për të ndaluar për një pushim gjatë rrugës dhe kalimet me traget që do të thotë se ndonjëherë ju detyrohuni për të pushuar dhe shikuar natyrën që ofron ky arkipelag.
Qendra e Vikingeve (Rosala Viking Center) apo siç e quajnë ndryshe fshati i Vikingeve në Rosala ndodhet 25 km në perëndim nga Hanko apo 110 km nga Turku, në mes të arkipelagut më të bukur në botë. Ishujt Rosala dhe Hits, që janë të bashkangjitur përmes urës Kyrkesund, janë pjesë e arkipelagut të Turku-t dhe gjenden 18 km në veri-perëndim nga vendi më jugor i banuar në Finlandë.
Ju mund të vozitni me makinën tuaj gjatë gjithë rrugës për në qendrën e Vikingeve duke u nisur nga qyteti Turku, përreth Paimo dhe vazhdoni për Kasnäs ndërsa nga Helsinku përmes qytetit Salo për në Kansäs para se te arrini në Rosala. Kalimi me traget i një pjese përmes anijes M / S Aura është falas, e cila përshkruan rrugën nga qyteti Kansäs deri në Rosala që zgjat rreth 30 minuta.
Orarin e anijes dhe qendrës së Vikingeve mund ta gjeni tek webfaqja e tyre www.rosala.fi. Në qendrën e Vikingeve gjendet edhe një dyqan me gjësende të ndryshme, kafe, ushqim për drekë si dhe mund ti shihni edhe muzeun i cili përmban mjete të ndryshme luftarake të cilat i kanë përdorur vikingët. Keni parasysh se orari i hapjes së kësaj qendre ndryshon nga sezonet prandaj këshillohet qe të shikoni webfaqen zyrtare dhe të kontaktoni me stafin e kësaj qendre.
© Juui Hellsten
Portali zyrtar i turizmit www.visitfinland.com është pjesë përbërëse e organizatës qeveritare Finpro. Kjo organizatë ndihmon ndërmarrjet e vogla dhe të mesme finlandeze që përfaqësojnë një mori të linjave të industrisë dhe biznesit. Qëllimi i kësaj organizate është që ti ndihmojë ndërmarrjet për të tërhequr investime të huaja në Finlandë, të bëhen të njohura në tregun ndërkombëtarë me punën e tyre dhe promovimin e Finlandës në mbarë botën si një vend atraktiv për turizëm.
Portali zyrtarë i turizmit bashkëpunon ngushtë me ministritë, agjencitë turistike, ndërmarrjet e udhëtimit dhe regjionet e Finlandës. Ky bashkëpunim përfshinë kërkimin, zhvillimin e produktit dhe mbi të gjitha promovimin jashtë vendit të aktiviteteve të lira turistike në Finlandë.
Finland Convention Bureau (FCB) është pjesë e VisitFinland.com. FCB promovon rregullisht Finlandën nëpër takimet e sektorit industrial (mbledhje, takime inkurajuese, kongrese, ngjarje të organizuara).
Portali zyrtarë VisitFinland.com jashtë Finlandës është i përfaqësuar në këto vende kyçe: Kinë, Francë, Gjermani, Britani të Madhe, Itali, Japoni, Holandë, Rusi dhe SH.B.A.
BusinessFinland www.businessfinland.fi ka një rrjet të gjerë të qendrave tregtare jashtë vendit, dhe këto qendra janë në dispozicion të VisitFinland në radhën e vendeve të 2-ta apo 3-ta që sjellin turizëm, qoftë në fokusimin e kongreseve ndërkombëtare, mbledhjes së informacioneve, risive të tregut etj.
Përveç VistiFinland.com si pjesë e promovimit të turizmit në Finlandë, Finpro udhëheq edhe portalet Invest in Filand dhe Export Finland. Përmes këtyre portaleve ju mund të gjeni shumë informacione rreth investimeve në Finlandë dhe eksportit të produkteve finlandeze jashtë vendit.
Portali zyrtar i turizmit - www.visitfinland.com
© 2023 Gjiganti