Shqiptarët në Itali

Disa të dhëna rreth shqiptarëve në Itali

Të huajt rezidentë në Itali, më 1 janar 2010 janë mbi 4,2 milionë, 340 mijë më shumë se një vit më parë. Dhe i pëlqen apo jo ndokujt, ata përbëjnë sot 7% të popullsisë rezidente në Itali sot.

Duke i hedhur një sy raportit ISTAT, sheh që emigracioni drejt Italisë është një fenomen i qëndrueshëm dhe në rritje të vazhdueshme. Analiza e fundit i ngjan atyre të viteve të shkuara, me përjashtim të shifrave që rriten nga viti në vit. Rritet numri i përgjithshëm, për shkak të lindjeve dhe të ardhjeve; rritet numri i të miturve, veçanërisht i të lindurve në Itali, dhe numri i nxënësve të huaj në shkollat italiane; rritet përqindja e të huajve në Veri të Italisë; shtohen qytetarët e rinj italianë, ata që marrin shtetësinë për martesë apo për natyralizim etj. Le të shohim disa aspekte duke u përqendruar veçanërisht në emigracionin shqiptar në Itali.

Shqiptarët, në 20-vjetorin e mbërritjeve të para nga hyrjet në ambasada e më pas me eksodet e marsit 1991, përbëjnë sot një komunitet "historik" të shumtë në numër dhe sot mbeten komuniteti i dytë i të huajve në Itali, pas rumunëve. E thonë të dhënat e institutit italian të statistikave lidhur me praninë e të huajve në komunat italiane, që në total kanë kapërcyer shifrën e 4,2 milionë personave.

Sipas të dhënave të fundit ISTAT, shqiptarët kanë kaluar nga 441.396 të 1 janarit 2009 në 466.684 të 1 janarit të këtij viti, me rritje vjetore prej 25.288 personash, apo me 5,7%. Rritja është më e lartë për gratë ( +14.060) dhe më e ulët për burrat (+11.219), për arsye se kjo rritje u detyrohet kryesisht bashkimeve familjare, lindjeve dhe faktit që vitin e shkuar nuk ka pasur ardhje për punë për mungesë të dekretit të flukseve. Për shqiptarët në veçanti është tashmë diçka e njohur që emigracioni prek fillimisht burrat që vijnë për punë e më pas gratë që në të shumtën e rasteve vijnë për arsye familjare, kështu që në mungesë të rritjes ekonomike për shkak të krizës është mëse normale që numri i grave që vijnë - kryesisht për bashkim familjar - të jetë më i lartë se ai i burrave.

Shqiptarët janë të pranishëm në të gjitha krahinat, madje me përjashtim të Sardenjës, Sicilisë, Kalabrisë, Campanias dhe Lazios, në të gjitha të tjerat janë një ndër tre komunitetet me numër më të lartë rezidentësh. Krahinat me më shumë shqiptarë janë Lombardia, ku jetojnë 95.761 shqiptarë, Toskana me 66.042 shqiptarë dhe Emilia Romagna me 58.259 vetë. Mbetet një përqendrim relativisht i lartë i shqiptarëve në Puglia ku 21.986 shqiptarët rezidentë përbëjnë 26,1% të të gjithë të huajve të pranishëm në Krahinë. Bie në sy edhe fakti që nëse në Lazio jeton mbi 10% e të huajve, nuk janë as 5% e shqiptarëve që zgjedhin këtë krahinë. Ndërsa nëse Toscana renditet e gjashta për prani të huajsh në përgjithësi, renditet e dyta për shqiptarët.

Shqiptarët konfirmojnë shpërndarjen e tyre kapilare në territor, me praninë e tyre në të gjitha provincat, duke preferuar qendrat e vogla (73,6%) kundrejt kryeqendrave të provincave (26,4%).

Provincat me më shumë shqiptarë mbeten Milano, Brescia, Firenze, Roma e Perugia. Numri i shqiptarëve është rritur në të gjitha me përjashtim të Bellunos (40 shqiptarë më pak se një vit më parë), Isernia (-33), Palermo (-14), Biella (-12), Crotone (-5), Enna (-4), Cagliari (-3), Carbonia-Iglesias (-2) dhe Medio Campidano (-1).

Edhe këtë vit vërehet që qytetet me më shumë shqiptarë janë Roma (5.657 shqiptarë rezidentë), Torino (5.510) Firenze (5.085), Milano (5.005) dhe Genova (4.885). Por, siç shihet, në asnjë prej tyre nuk gjen përqendrime të larta shqiptarësh, edhe pse janë qytete të mëdha me popullsi që shkon nga rreth tre milionë të Romës deri në 400 mijë të Firenzes. Këto shifra as nuk kanë të krahasuar me ato të rumunëve, të cilët janë mbi 65 mijë rezidentë në Romë, apo mbi 51 mijë në Torino, për shembull.

Ndërsa duke shikuar më gjerë dukurinë e imigracionit në Itali nga të dhënat e fundit të ISTAT-it del në dritë që gjatë vitit 2009 numri i të huajve rezidentë në Itali është rritur me 8,8% (343.764 vetë) duke arritur në 4.235.059. Më 1 janar 2010 të huajt përbëjnë 7% të popullsisë rezidente dhe përditë e më shumë janë vendimtarë për t'i bërë ballë rënies demografike në Itali.

Edhe pse rritja është e konsiderueshme edhe gjatë vitit 2009, ruhet tendenca në ulje e dy-tre vjetëve të fundit për arsye objektive si mungesa e dekreteve të flukseve dhe kriza ekonomike: në vitin 2007 rritja ka qenë me 494 mijë dhe në vitin 2008 rritja ishte me 459 mijë vetë.

Praktikisht rritja e numrit të rezidentëve emigrantë gjatë vitit 2009 u detyrohet: 1) rritjes natyrore të të huajve (lindje-vdekje), mbi 72 mijë; 2) diferencës mes imigracionit dhe emigracionit, me një fjalë të huaj që vijnë në Itali (mbi 406 mijë gjatë vitit 2009) minus italianë që marrin rezidencën jashtë shtetit (mbi 32 mijë); 3) moskonsiderimit mes të huajve të atyre që marrin shtetësinë italiane, rreth 60 mijë vitin e shkuar. Numri i të huajve që çdo vit marrin shtetësinë italiane po bëhet gjithnjë e më i konsierueshëm: është gjithnjë në rritje duke shkuar nga 17.205 të vitit 2003 në 59.369 të vitit të shkuar. Dhe meqë shtetësia italiane vazhdon të merret më lehtë për martesë, meqë martesat e përziera janë më të shumta mes grave të huaja dhe meshkujve italianë, qytetarët e rinj italianë janë kryesisht gra.

Të miturit janë 932.675 vetë, 22% e të gjithë të huajve rezidentë; 572.720 (61,4% e të miturve të huaj) kanë lindur në Itali, ndërsa të tjerët kanë ardhur kryesisht me bashkim familjar. Numri i të miturve në përgjithësi dhe i atyre të lindur në Itali, brezi i dytë, është gjithnjë në rritje: i pari është dyfishuar nga viti 2003, ndërsa i dyti është rritur me 44% nga viti 2006. Rritja e vazhdueshme e numrit të të miturve të huaj, dhe i brezit të dytë në veçanti, bën gjithnjë e më të domosdoshme ndjekjen e një politikave përfshirëse; krahas normave shtrënguese për imigracionin klandestin, Italia e ka tashmë për detyrë dhe të domosdoshme të modifikojë ligjin për njohjen e shtetësisë, veçanërisht për të miturit, që përditë e më shumë do të përfaqësojnë një pjesë të mirë të popullsisë së ardhshme të këtij vendi.

Rreth gjysma (49,3%) e të huajve rezidentë në Itali vijnë nga Europa lindore, 2 milionë e 86 mijë persona, nga të cilët rreth 888 mijë nga Rumania dhe 467 mijë nga Shqipëria që përbëjnë edhe dy komunitetet më të mëdha në Itali, siç ndodh prej disa vjetëve. Janë afrikanë 932 mijë persona, 22% e të huajve dhe kryesisht vijnë nga Afrika e Veriut, Maroku në krye. Aziatikët janë 687 mijë (16,2%) dhe amerikanojugorët 325 mijë individë (përbëjnë 7,7% e të gjithë të huajve).

Mëse 61% e emigrantëve jeton në Veri: 35% në Veri-Perëndim dhe 26,6% në Veri-Lindje, 25,3% në Italinë e Mesme dhe 13,1% në Jug dhe Ishuj. Në nivel krahinash, më e populluara me të huaj është Lombardia: jetojnë aty rreth 923 mijë emigrantë 23,2% e të gjithëve. Pas saj renditet Lazio me 498 mijë të huaj, Veneto (481 mijë), Emilia Romagna (461 mijë). Emigracioni ka peshën më të madhe në Emilia Romagna ku të huajt përbëjnë 10,5% të të gjithë popullsisë, por edhe në Lombardi (10%), Umbria (10,4%). Ndërsa në nivel provincial, janë në veri të gjitha provincat ku ndër 10 rezidentë, të paktën një është i huaj si Brescia (12,9% janë të huaj), Piacenza, Reggio Emilia, mantova, Modena (me nga rreth 12% të huaj ndër banorët e tyre), Parma, Verona, Treviso, Pordenone (mbi 11%). Në Italinë e mesme spikat Prato ku të huajt përbëjnë 12,7%, ndërsa në jug, Teramo (7,4%).

Emigrantët mbushin të paktën pjesërisht boshllëqet brezore të lëna nga italianët. Të huajt rezidentë në Itali, kanë moshë mesatare 31,5 vjeç, pra strukturë për mosha shumë më të re se ajo e italianëve që është 44,2 vjeç. Nga rreth 4,3 milionë emigrantët rezidentë, 22% ka moshë deri në 17 vjeç, dhe 70% deri në 40. Përqindjet përkatëse të këtyre grup-moshave për italianët janë përkatësisht 17% dhe 43%. Tani për tani, emigracioni në Itali duket e vetmja rrugë për rinimin e popullsisë.

Autor:
Keti Biçoku, Bota shqiptareHuazuat nga portali www.shqiptariiitalise.com