Bizneset shqiptare në Gjermani

Historia e bizneseve shqiptare në Gjermani

Veprimtaria e bizneseve shqiptare në Gjermani ka filluar qysh para viteve 80-ta por një rritje të madhe ka pasur sidomos gjatë viteve 90-ta ku ndër shkaqet kryesore ka qenë edhe rritja e numrit të shqiptarëve pas zhvendosjes nga Kosova dhe trojet tjera shqiptare shkaku i gjendjes politike dhe ekonomike.

Nëse flasim rreth viteve të fundit, mund të themi se numri i bizneseve shqiptare është shumëfishuar por statistika të sakta rreth veprimtarive aktive ende nuk kemi. Sukseset e afaristëve përveç ndikimeve tek komuniteti shqiptarë janë vërejtur edhe tek komunitetet tjera si dhe shoqëria gjermane. Këto suksese janë treguar nga disa ndërmarrje të cilat kanë punësuar me qindra punëtorë në lëmi të ndryshme si dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duke punësuar me dhjetëra.

Gjatë vitit 2018 ne do bëjmë një studim më të afërt rreth bizneseve aktive duke sjellur informacione më të sakta rreth statistikave reale dhe llojeve të veprimtarive që ushtrojnë. Kur flitet për bizneset shqiptare në Gjermani, gjithmonë përmenden disa fusha që shqiptarët janë më të kyçur dhe në këtë rast ne do i përfshijmë vetëm 5 fushat më të njohura.

Ndërtimtari

Ndërtimtaria si një profesion që ka shtrirje të madhe në tërë botën ku jetojnë shqiptarët, ka zënë vend edhe në Gjermani. Shkaku i burokracisë dhe tregut të sistemit të punës ku ndërmarrjet e mëdha fitojnë shumicën e tenderëve për ndërtime të larta, bizneset shqiptare mbulojnë më së shumti punimet me ndërtime më to vogla apo si nën-kontraktorë në ndërtime të ndryshme. Duke marrë parasysh se fusha e ndërtimtarisë është shumë e gjerë, këtu mund ti veçojmë punimet në prishje apo thyerje, fasada, pastrim, riparime etj. Këto biznese zakonisht punësojnë një mesatare nga 5-20 punonjës por ka edhe disa prej tyre që kanë mbi 100 punëtorë.

Pizzeria

Fusha e hotelerisë ka një shtrirje mjaft të madhe. Në këtë grup më së shumti bëjnë pjesë restorantet në formë pizzeria dhe vendet ushqimore për drekë. Piceritë zakonisht punësojnë një mesatare nga 2-5 punonjës ndërsa vendet ushqimore për drekë dhe disa restorante 5 - 10 punëtorë.

Pastrim

Pastrimi në Gjermani në përgjithësi kryhet nga fuqia punëtore me prejardhje nga shtetet jashtë BE-së. Edhe shqiptarët në këtë fushë të biznesit janë mjaft të angazhuar dhe sidomos ndërmarrjet individuale që kanë numër të vogël të punëtorëve. Vlen të theksohet se në këtë fushë bizneset shqiptare kanë një shtirje të mirë në pastrimin gjatë ndërtimeve të objekteve të mëdha ku numri i punëtorëve në këto ndërmarrje është më i madh.

Kopshtari

Duke pasur parasysh se Gjermania ka një klimë dhe natyrë të favorshme në mbjelljen e luleve si dhe produkteve tjera që lidhen me kopshtari, shqiptarët kanë arritur të kenë një pjesë të tregut në këtë fushë. Mirëmbajtja e parqeve dhe luleve nëpër shtëpi private ka një rëndësi të madhe për popullin gjerman prandaj edhe kjo fushë është mjaftë e nevojshme.

Agjencitë turistike

Nevoja e shqiptarëve për të udhëtuar në vendlindje ka hapur kushtet që bizneset shqiptarë të veprojnë si agjenci turistike duke ofruar shërbime të ndryshme për udhëtime. Shumicën e tregut për udhëtime në trojet shqiptare e kanë ndërmarrjet shqiptare të cilat ofrojnë shërbime përmes fluturimeve ditore nga aeroportet më të njohura si dhe udhëtime ditore me autobus nga qytete të ndryshme.

Komunitetet në Gjermani