Sindikatat dhe të drejtat e punëtorit në Gjermani

Standardet minimale ligjore te punesimit

Për çdo periudhë punësimi që zgjat më shumë sesa një muaj, punëdhënësit i kërkohet të përpilojë, nënshkruajë dhe t’i dorëzojë punëmarrësit elementet e kontratës së punës. Këtu përfshihen: Emri, fillimi dhe kohëzgjatja e punësimit, përshkrimi i punës, orët e punës, pagesa, pushimet, periudhat e njoftimit, informacioni mbi marrëveshjet e pagës dhe shoqërisë. E njëjta gjë vlen edhe për ndryshimet thelbësore të kontratës së punës (§ 2 Ligji për njoftimin e kushteve që rregullojnë marrëdhëniet e punës).

Paga

Paga nuk duhet të jetë nën nivelin minimal ligjor të pagave në disa sektorë dhe, përgjithësisht, duhet të zbatohet në nivele të pranuara kolektivisht.

Orari i punës/puna jashtë orarit

Ju keni të drejtë për ndërprerje dhe periudha pushimi. Ju nuk duhet të punoni për më shumë sesa 48 orë në javë (Nga e hëna në të premte). Përjashtime mund të ndodhin. Puna jashtë orarit duhet të paguhet apo të jepet si kohë pushimi.

Pushimet

Për një javë me pesë ditë, punëmarrësi ka të drejtë të marrë 20 ditë pushim në vit, për një javë me gjashtë ditë merr 24 ditë në vit dhe për një javë me katër ditë, 16 ditë në vit. Pagesa e përfituar në ditë për pushimet është në varësi të pagës suaj mesatare.

Pagesa për sëmundje

Në rast sëmundjeje, ju keni të drejtë të merrni një pagesë maksimale për gjashtë javë dhe, pas kësaj periudhe, të përfitoni pagesën për sëmundje. Pagesa e sëmundjes është më e ulët sesa paga e punonjësit dhe paguhet nga Fondi i Sigurimeve për Sëmundjen.

Shëndeti dhe siguria/aksidentet në vendin e punës

Shëndeti dhe siguria nuk duhet të rrezikohen në punë. Punëmarrësit mund të kërkojnë përmirësime, në rast se kushtet e shëndetit dhe sigurisë janë të pamjaftueshme dhe nuk duhet të jenë subjekt i dizavantazheve, nëse e bëjnë këtë. Aksidentet në punë duhet t’i raportohen sistemit ligjor gjerman të sigurimit ndaj aksidenteve. Në rast aksidenti, ju keni të drejtë të përfitoni trajtim mjekësor dhe, kur është e nevojshme, një pension.

Mbrojtja e të rinjve në punë

Puna e fëmijëve është e paligjshme. Fëmijë është personi nën moshën 15-vjeçare. Të rinjtë (individë nën moshën 18-vjeçare) nuk lejohet të punojnë më shumë se 40 orë në javë.

Mbrojtja e lejes së lindjes

Përgjithësisht, gratë shtatzëna nuk duhet të punojnë gjatë gjashtë javëve të fundit përpara lindjes dhe tetë javë pas saj. Gratë nuk mund të pushohen nga puna gjatë periudhës së shtatzënisë dhe gjatë katër javëve pas lindjes. Gratë shtatzëna me qëndrim të paligjshëm në Gjermani kanë, gjithashtu, të drejtën të përfitojnë kujdes mjekësor.

Mbrojtja nga pushimi nga puna

Jo të gjitha pushimet nga puna janë të lejueshme ligjërisht. Duhen respektuar periudhat ligjore të njoftimit.Pushimet nga puna duhet të justifikohen. Pushimi nga puna mund të ndodhë për motive personale apo lidhur me sjelljen ose për arsye biznesi (p.sh., shkurtim vendesh pune).

Lista e disa adresave të rëndësishme

Integrimi në Gjermani