Bashkimi i bizneseve dhe përfitimet për të gjithë

Të nderuar afaristë shqiptarë në Finlandë,
Unë personalisht kam një kërkesë për të gjithë ata që kanë biznese që të bashkohemi dhe së bashku të ecim përpara në rrugën drejt sukseseve konkrete. Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Finlandë ka nevojë për përkrahjen tuaj me qëllim të bashkimit dhe përfitimit për të gjithë.

E kuptoj se disa nga ju mund të jeni edhe të zhgënjyer nga e kaluara por unë ju premtoj se këtu nuk ka asgjë personale, politike apo ndonjë grupi të caktuar.

Rrjeti është organizatë e pavarur që ka si qëllim krijimin e mundësive të bashkëpunimit në mes veti. Përkrahja juaj do sjell rezultate konkrete dhe përfitime për të gjithë.

Çka kemi nevojë?

  • Ne duhet ti bëjmë disa broshura në gjuhët: shqip, finlandisht dhe anglisht me qëllim që t'ju tregojmë juve dhe të tjerëve se kush jemi dhe çfarë qëllimi kemi
  • Duhet ta hapim një zyrë ku do ofrojmë shërbime të ndryshme në interesin e të gjithë bizneseve
  • Duhet ta zhvillojmë më mirë webfaqen zyrtare dhe ta mirëmbajmë me informacione të freskëta
  • Të fillojmë me kurse dhe seminare të ndryshme që do përfitojnë të gjithë
  • Organizojmë aktivitete biznesi, kulturore dhe sportive ku përfitimet do shkojnë për të gjithë

Çka mund të na ndihmoni

Si anëtarë, sponsorizues apo reklamues. Disa nga mundësitë:

  • Anëtarësimi - 100 € në vit
  • Reklama juaj tek broshurat që do i bëjmë
    • Logo - 200 €
    • Logo + tekst i shkurt 300 €
    • Logo + teksti më i gjatë 500 € (lista e sponsorëve kryesorë)
    • Propozimi juaj (sipas marrëveshjes)
  • Broshurat do shpërndahen tek institucionet finlandeze, organizatat, institucionet shqiptare si dhe tek i gjithë komuniteti shqiptarë në Finlandë
  • Të gjithë këto do publikohen edhe tek faqja zyrtare www.rrbsh.fi

Përfitimi shtesë: duke marrë parasysh bashkëpunimin, reklama juaj do vendoset për një vit falas tek seksioni Bizneset Shqiptare në projektin Diaspora. Shikoni shembullin anash.

Si përfitojnë të gjithë?

Rrjeti i bizneseve do krijojë mundësi që komuniteti ynë të jetë më i organizuar dhe përveç kësaj, të gjithë ata që dëshirojnë të hapin një biznes apo nevoja tjera, do marrin këshilla dhe udhëzime tjera falas. Sigurisht që nuk do përfitojmë të gjithë njëjtë pra dikush më shumë, e dikush më pak por në fund do jetë komuniteti ynë që do ndërtojë një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.

Për informacione shtesë, ju lutëm më shkruani në rrbsh.fin@gmail.com apo tel: 040 837 4680.

Me respekt,
Faton Krasniqi
Sekretar i RrBSh-së në Finlandë