Shembulli i një integrimi të suksesshëm


Besim Kuqi

Integrimi si një proces i edukimit dhe promovimit të kulturës tek shoqëria finlandeze, sjell gjithmonë inspirime pozitive. Shembulli i një integrimi të suksesshëm është edhe Besim Kuqi.

Besim Kuqi erdhi në Finlandë 10 vite më parë (Maj 2007) si një punëtor i thjeshtë. Përkushtimi i madh në punë, edukata, sjellja shembullore e tij dhe respektimi i ligjeve të shtetit finlandez, krijoi përshtypje të mirë tek punëdhënësi i tij- ndërmarrja "Transval" ku për një periudhë shumë të shkurtër kohore u emërua si udhëheqës i disa punëtorëve. Besimi si një person i përkushtuar për punë dhe me aspirata për avancim në karrierë në aspektin profesional, vendosi të vijojë disa trajnime profesionale në fushën e logjistikës. Ai këto trajnime i përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm duke u vlerësuar maksimalisht nga udhëheqësit e këtyre trajnimeve.

Pas disa viteve punë si udhëheqës dhe menaxher shumë i suksesshëm në kompaninë e njohur "Transval" në fushën e logjistikës, ai vendosi që të bëjë një hap para në karrierën e tij menaxheriale. Në vitin 2013 Besimi themeloi ndërmarrjen "Besku Logistics Oy" me seli në Vantaa, ndërmarrje të cilën e udhëheq dhe e menaxhon edhe sot me shumë sukses, duke respektuar të gjitha dispozitat ligjore të shtetit. Kjo dëshmohet me vizitat e kryera në ndërmarrjen "Besku Logistics Oy" nga institucionet finlandeze të zbatimit të ligjit, të cilat kanë rezultuar pozitivisht dhe për këtë ka marrë edhe falënderime dhe është inkurajuar nga organet e shtetit që të punojë edhe më tutje në këtë frymë.

Ndërmarrja "Besku Logistics Oy" filloi me një numër të vogël punëtorësh, mirëpo falë angazhimit dhe menaxhimit të mirë të ndërmarrjes nga Besimi, si dhe kryerjes së punëve në mënyrë profesionale, për një kohë shumë të shkurtër e zgjeroi aktivitetin e vet dhe në këtë mënyrë shumëfishoi edhe numrin e punëtorëve. Tani ndërmarrja ka arritur të ketë 45 punëtorë të rregullt dhe mbi 70 punëtorë me gjysmë orari apo punë sezonale, ku të gjithë kanë kontrata të rregullta duke i respektuar dispozitat ligjore të vendit. Rritja e afarizmit ekonomik dëshmohet edhe me prezantimin e pasqyrave financiare para organeve shtetërore.

Sukseset në menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje, kanë inspiruar Besimin që gjatë këtij viti të hapë edhe një degë tjetër në fushën e pastrimit. Ndërmarrja e re "BECO" si pjesë e "Besku Logistics Oy" ofron shërbime të ndryshme nga mirëmbajtja e objekteve të ndryshme private dhe afariste.

Falë transparencës, zbatimit të ligjeve të vendit, vullnetit, sinqeritetit dhe përkushtimit të madh në punë, Besimi ka fituar një autoritet të madh para institucioneve të shtetit, pastaj te partnerët e tij, te punëtorët dhe rrethi tjetër i bashkëpunëtorëve. Besim Kuqi përmendet si njeri punëtor, i sinqertë, që i respekton ligjet e vendit, bashkëpunëtor dhe i hapur për diskutime profesionale. Në Finlandë ai shihet si një shembull i integrimit në shoqërinë finlandeze, e kjo ka një rëndësi të madhe, sepse tregon një pasqyrë pozitive të popullit shqiptarë. Shpresojmë që një shembull të tillë të ndjekin edhe shumë të rinj të tjerë shqiptarë nëpër fusha të ndryshme.

Vlen të theksohet se përmes ndërmarrjes së tij, ai ju ka dhënë mundësi shumë shqiptarëve në fillimin e një karriere të punës, duke anashkaluar pengesat që mund të shfaqen tek disa individë si për shembull gjuha apo përvoja e punës. Këto veprime ai i sqaron si ofrim të një mundësie duke shpresuar për një të ardhme më të lehtë. Ai ka cekur se në të ardhmen do të ketë edhe disa trajnime apo kurse të ndryshme që këto pengesa të kalohen edhe më lehtë dhe punëtorët të kenë kualifikime më të larta.

www.beskulogistics.fi