Puntorët me vizë pune në Gjermani

Kushtet e hyrjes dhe qëndrimit të punonjesve të huaj

Si rregull, të gjithë të huajt duhet të pajisen me vizë për qëndrime më të gjata sesa tre muaj apo qëndrime që çojnë në punësim fitimprurës. Përjashtim nga ky rregull bëjnë shtetasit e BE-së dhe ZEE-së (Zonës Ekonomike Evropiane), si edhe shtetasit e Zvicrës.

Shtetasit e të gjitha vendeve të tjera, të cilët planifikojnë të qëndrojnë më gjatë në Gjermani, duhet të aplikojnë për vizë në një mision kompetent, përpara sesa të mbërrijnë në vend. Kërkesat për vizë duhet të miratohen nga autoritetet përkatëse për të huajt në Gjermani, d.m.th., autoritetet e të huajve në vendin ku aplikuesi ka për qëllim të kërkojë qëndrimin. Formularët e aplikimit për vizë afatgjatë (më shumë sesa tre muaj) mund të mirren falas nga misionet përkatëse apo edhe nö internet.

Formularët e dorëzuar duhet të jenë në variantin origjinal (të paktën dy kopje) në gjuhën që kërkohet nga misioni i dhënë. Ju lutemi, kontaktoni paraprakisht me misionin, për të mësuar se cilët formularë kërkohen saktësisht.

Zakonisht, procedura e miratimit zgjat tre muaj dhe, në disa raste edhe më shumë, duke qenë se autoritetet për të huajt këshillohen shpesh me autoritete të tjera (p.sh., me Agjencinë Federale të Punësimit). Misione mund të lëshojnë viza vetëm kur kanë marrë miratimin e autoritetit të të huajve.

Autoritetet për të huajt janë gjithashtu përgjegjëse për masat e vendimet që kanë të bëjnë me legjislacionin për qëndrimin e të huajve që banojnë tashmë në Gjermani. Autoritetet e huaja nuk janë në varësinë e agjencive të Ministrisë së Jashtme Federale dhe Ministria në fjalë nuk mund të ndikojë në vendimet e tyre. Ato, në fakt, i japin llogari dhe veprojnë nën mbikëqyrjen e ministrive të brendshme përkatëse dhe senatorëve të Landeve (shtetet federale).

Punötoret e kualifikuar

Që prej 1 janarit të vitit 2005, pas hyrjes në fuqi të aktit të ri gjerman për imigracionin, të huajt kanë nevojë vetëm të pajisen me lejen e qëndrimit, e cila iu jep atyre të drejtën të punojnë, në vend që të duhet të marrin më vete lejen e qëndrimit dhe lejen e punës. Ju duhet të aplikoni e të merrni lejen e qëndrimit dhe të punës përpara sesa të hyni në Gjermani nga ambasada ose konsullata gjermane në vendin tuaj.

Procedura

Faza 1:
Aplikimi për lejen e qëndrimit (e cila ofron, gjithashtu, të drejtën për të hyrë në tregun e punës) për kandidatin merret nga ambasada gjermane në vendin ku kandidati jeton.

Faza 2:
Ambasada ia kalon aplikimin zyrës së imigracionit (Auslaenderbehoerde) në vendin ku duhet të kryhet puna për miratimin fillestar. Zyra e imigracionit, në bashkëpunim me zyrën lokale të punës (Arbeitsamt), që lëshon lejen, merr vendimin e saj.

Faza 3:
Në rast se aplikimi i kandidatit miratohet, ambasada i lëshon vizë hyrjeje kandidatit.

Faza 4:
Pas mbërritjes në Gjermani, shtetasi i huaj dhe çdo anëtar i familjes që e shoqëron duhet të aplikojë për lejen e punës dhe qëndrimit në autoritetin vendas për të huajt.

Kërkesat

Për t’u kualifikuar për një leje gjermane pune, kërkesat bazë për punësim në një shoqëri gjermane janë si vijon:

  • Punëmarrësi i mundshëm duhet të punësohet me kritere të barabarta me ato të një punëmarrësi gjerman
  • Nuk ka shtetas gjermanë apo shtetas të tjerë evropianë që të mund të zënë pozicionin e punës
  • Zakonisht, punëmarrësi duhet të zotërojë diplomë universitare apo një kualifikim të ngjashëm. Për disa pozicione ka kërkesa të posaçme
  • Shoqëria gjermane duhet të jetë e regjistruar në Autoritetet e Punës në Gjermani dhe të aplikojë për një Numër Regjistrimi Korporate
  • Aplikim për lejen e qëndrimit (me të drejtë hyrjeje në tregun e punës). Përgjithësisht, që të aplikoni për leje qëndrimi, do t’ju duhet:
    • Të aplikoni të paktën tre muaj apo më shumë përpara udhëtimit tuaj
    • Tri kopje origjinale të formularit të Aplikimit të plotësuar për Leje Qëndrimi, të plotësuara në gjuhën që kërkohet nga misioni gjerman në vendin tuaj të origjinës
    • Tri foto (bardhezi ose me ngjyra) në formatin që tregohet në aplikim
    • Një pasaportë, vlefshmëria e së cilës vazhdon për të paktën 10 muaj të tjerë pas ditës së largimit nga Gjermania, me dy faqe bosh
  • Për personat e kualifikuar dhe me kualifikim të lartë:
    • Një kontratë me një shoqëri gjermane
    • Dëshmi të kualifikimeve arsimore dhe profesionale të përkthyera në gjuhën gjermane
  • Për dadot
    • Kontratë me familjen pritëse apo agjencinë e dadove
    • Dëshmi e njohurive të gjuhës gjermane

Informacione të mëtejshme gjenden tek autoritetet përgjegjëse:

Punetoret me kualifikim te larte, studentet, te vetepunesuarit

Duke filluar që nga viti 2005, Gjermania po bën përpjekje në rritje për të nxitur lëvizjen drejt Gjermanisë të punëtorëve me kualifikim të lartë. Ndërkohë që punëtorët me kualifikim të ulët e kanë ende të vështirë të përftojnë lejen e punës në Gjermani, punonjësit me kualifikim të lartë duhet ta kenë më të lehtë të fitojnë qëndrimin e përhershëm. Profesionet që kanë kërkesa më të mëdha janë ato të shkencave të natyrës (biologë, kimistë, fizikanë), inxhinierë, profesorë dhe personel shkencor në fushat e teknologjisë së lartë.

Akti i ri gjerman i imigracionit, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2005, parashikon se personave me kualifikim të lartë iu jepet leja e qëndrimit dhe leje për të punuar që në fillim, në vend të lejeve pesëvjeçare të punës, siç ndodhte më parë. Ata duhet të kenë një ofertë konkrete pune dhe të marrin lejen nga agjencia gjermane e punësimit. Ligji bën, gjithashtu, përpjekje për të shkurtuar burokracinë. Imigrantët e ardhshëm do të raportojnë tashmë në një vend qendror, me shumë gjasa, në ambasadën gjermane në vendin e tyre, për të marrë lejen e punës dhe qëndrimit.

Anëtarët e familjes që hyjnë në Gjermani me punonjësit me kualifikim të lartë që janë pajisur me vizë ose anëtarët e familjes, të cilët janë bashkuar me ta më vonë në Gjermani, mund të fitojnë, gjithashtu, të drejtën për të punuar në Gjermani, çka do ta bënte më të lehtë për familjet që të zhvendosen në Gjermani.

Një tjetër zhvillim i rishtë në Gjermani duhet të shihet pozitivisht nga studentët e huaj. Të diplomuarit e huaj të universiteteve gjermane do të kenë një vit kohë për të kërkuar një punë, në rast se dëshirojnë të qëndrojnë në vend. Më parë, ishte mjaft e vështirë për studentët e huaj që të qëndronin në Gjermani pas përfundimit të studimeve.

Emigrantët e vetëpunësuar mund të kenë të drejtën për vizë, me kusht që të investojnë një milion euro dhe të hapin 10 vende të reja pune në Gjermani. Akti i ri i imigracionit e ka zëvendësuar Nismën e Kartës së Gjelbër gjermane. Në rast se të huajt e një vendi të tretë kanë në plan të shtyjnë qëndrimin përtej periudhës së vlefshmërisë së vizës, atyre iu duhet një leje qëndrimi apo shpërnguljeje. Për të huajt që kanë hyrë në Gjermani me vizë kombëtare dhe planifikojnë të zgjasin qëndrimin e tyre, duhet që leja e përkohshme e hyrjes dhe qëndrimit, e përfshirë në vizat e tyre, të ndryshohet në një titull qëndrimi më afatgjatë përpara përfundimit.

Burimi i informacionit është marrë nga:
Rrjeti i Qendrave të Shërbimit për Migrantët - IOM www.migrantservicecentres.org

KU dhe SI në Gjermani