Mirë se vini në Finlandë

Pasi që njohja dhe integrimi më i lehtë në një shtet të ri varet edhe nga njohja e përgjithshme rreth funksionimit të sistemit shtetërorë, kemi zgjedhur këtë seksion si një pasqyrë që të drejton në rrugën e duhur për të filluar një integrim të suksesshëm. Finlanda përmban informacione nga fusha të ndryshme si historia, arti, kultura, gjeografia, regjionet, popullsia, turizmi, qeveria, ekonomia, transporti, si dhe fakte tjera të ndryshme.

Finlanda si seksion në vete, ka një rëndësi të veçantë pasi përveç informacioneve që sjell tek lexuesit si një destinacion turizmi apo njohje të gjërave pozitive që janë si shembull i një suksesi të mirë, luan një rol shumë pozitiv edhe tek ata të cilët vendosën në Finlandë për të jetuar më gjatë dhe ndjekin rrugën e integrimit.

Gjeografia

Finlanda shtrihet në pjesën veriore të Evropës e kufizuar me Suedinë (pjesa perëndimore me 614 km), Norvegjinë (pjesa veriore me 726 km) dhe Rusinë (pjesa lindore me 1340 km), gjithashtu ka dalje në gjirin e Botnisë (Bothnia) në perëndim që e ndan nga Suedia dhe gjirin e Finlandës në jug që e ndan nga Estonia. Åland (ishujt Aland) gjendet në pjesën jug-perëndimore të Finlandës me kryeqytetin Mariehamn-in dhe ka një sovranitet të gjerë nga Finlanda ku 91 % e popullatës e flasin gjuhën suedeze.

Finlanda ka një sipërfaqe prej 338 440 km2² (304 473 km2² tokë dhe 33 672 km2² ujë), sipas statistikave llogaritet të jetë vendi i 8 në Evropë për nga madhësia e territorit ku prej tyre 69 % e sipërfaqes është e mbuluar me male, 10 % ujë, 8 % tokë pjellore, 3 % ndërtesa banimi dhe pjesa tjetër me moçale.

Finlanda zen vendin e parë në botë për nga numri i liqeneve me rreth 65 000 dhe afër 120 000 janë të vegjël me madhësi mbi 500 m2². Liqeni më i madh është Saimaa rreth 4 400 km2² i cili llogaritet edhe si liqeni i 5-të në Evropë për nga madhësia. Uji i pijshëm është ndër më të pastërtit në botë dhe konsumohet pothuajse nga të gjithë banorët.

Regjionet

Finlanda nga vitet 1997 - 2009 është përbërë nga 6 provinca (fin: läänit). Autoriteti provincial ishte pjesë ekzekutive e degës së qeverisë qendrore. Sistemi u krijua në vitin 1634, dhe përbërjen e tij e ndryshuan në mënyrë drastike me 1997, kur numri i provincave u reduktua nga 12 në 6.

Provincat u hoqën krejtësisht më 1 janar 2010. Tani 6 agjencitë rajonale të administratës shtetërore, (përveç qeverisë së Åland), janë kryesisht përgjegjëse për zbatimin e ligjit: Etelä-Suomeen lääni, Länsi-Suomeen lääni, Itä-Suomeen lääni, Oulun lääni, Lapin lääni dhe Ahvenanmaa apo Åland. Gjatë kësaj kohe u bënë edhe ndryshime tjera në regjione dhe komuna. Qëllimi i këtyre ndryshimeve ishte që, në vitin 2017, sa më shumë komuna të mundshme të bëhen të forta në mënyrë që të mund të sigurojnë ofrimin e shërbimeve sociale dhe të krijojnë parakushte për rritjen e vitalitetit dhe zbatimin e demokracisë brenda komunës. Me bashkimin e komunave sipas planit 7 vjeçar, nga 468 komuna në vitin 2009 reduktohen deri në 311 deri më tani ndërsa numri i regjioneve reduktohet nga 20 në 19. Më shumë informacione rreth regjioneve dhe komunave gjeni tek kapitulli KU dhe SI.

Mesi i verës (Juhannus)

Mes i verës (fin: Juhannus) është një nga festat kombëtare më të mëdha në Finlandë. Ndryshe mund të quhet edhe festimi i ditës më të gjatë të vitit. Zakonisht festohet ditën e shtunë ndërmjet 20-26 qershorit. Gjatë kësaj fundjave miqtë, familjarët dhe shoqëria mblidhen për ta festuar së bashku në ambiente të hapura ku preferencat më të mëdha janë shtëpitë verore pasi Finlanda njihet si vendi që ka më së shumti shtëpi verore për kokë banori.

Po të kalojmë në krahasimin e festimit të festave më të mëdha në Finlandë dhe vetitë e përbashkëta, mund të themi se kjo festë së bashku me krishtlindjet sjellin tek populli finlandez një kënaqësi të veçantë në shumë aspekte. Siç e cekem më lartë gjatë kësaj feste familjet takohen në mes veti por festimi bëhet jashtë shtëpisë së zakonshme të banimit dhe gjatë kësaj jave mund ti shijoni ditët më të gjata të vitit ndërsa nëse kalojmë në festën e krishtlindjeve edhe gjatë kësaj kohe takohen familjet në mes veti por festimi bëhet zakonisht tek shtëpitë e zakonshme të banimit dhe gjatë kësaj jave mund ti shijoni netët më të gjata të vitit.

Popullsia

Popullsia e Finlandës llogaritet rreth 5.5 milion (2016) dhe kryeqyteti i saj është Helsinki me mbi 650 000 banorë (zona metropolitane 1.4 milion) ku pastaj si qytetet më të mëdha janë: Tampere, Oulu, Turku, Jyväskylä, Lahti, Kuopio etj. Dendësia më e madhe e popullsisë shtrihet në pjesën jugore të Finlandës përkatësisht në regjionin Uusimaa që përfshinë komunat Helsinki, Vantaa, Espoo etj pastaj si zonë me dendësi të madhe është komuna e Turkut.

Në Finlandë fliten dy gjuhe zyrtare, finlandisht rreth 89 % e popullatës, suedisht 5,6 % dhe pjesën tjetër e mbulojnë minoritetet dhe të huajt.

Në bazë të statistikave zyrtare, në Finlandë jetojnë më pak se 200 mijë të huaj. Numri më i madh vjen nga Estonia, Rusia, Suedia, Somalia, Kina, Tajlanda, Turqia, Gjermania, India, Kosova etj.

Struktura e moshës së popullsisë dallon nga ajo e vendeve të Evropës jugore ku 16 % e përbëjnë nën moshën 15 vjeçare, 65 % nga 15-65 vjet dhe rreth 20 % e popullatës është mbi moshën 65 vjeçare ndërsa nataliteti është shumë pak më i lartë se mortaliteti me një shkallë të përafërt 10 në 1000.

Ekonomia

Finlanda ka një ekonomi të zhvilluar, të tregut të lirë më të ardhura për kokë banori rreth 37 000 € ku llogaritet me shtetet më të zhvilluara në botë. Sektori më i zhvilluar i ekonomisë është shërbimi 65.7 %, fabrikat dhe rafineritë 31.4 % ndërsa prodhimi primar 2.9 %.

Industria më e madhe është elektronika 21.6%, makineri transporti dhe produkte tjera inxhinierike nga metali 21.1 %, prodhimet e drurit 13.1%, prodhimet kimike 10.9 % etj.

Finlanda është edhe një ndër vendet më inovative në botë. Kualiteti i lartë i prodhimeve finlandeze renditet në rangun më të lartë. Siç e dini, Nokia me prodhimet e telefonave mobil ka qenë për shumë vite lideri kryesor në botë. Ekzistojnë edhe shumë ndërmarrje tjera që kanë shtrirje të madhe dhe sidomos industria e lojërave kompjuterike duke përmendur lojërat me famë botërore Angry Birds, Clash of Clans, Hey Day etj.

Finlanda